Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës dhe kryenegociator për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, deklaroi se Bashkimi Evropian ka trajtuar në mënyrë të pabarabartë Kosovën dhe Serbinë në procesin e dialogut, duke theksuar se Serbia ka përfituar pothuajse të gjitha kërkesat e saj, ndërsa Kosova nuk ka marrë asgjë në këmbim.

Në një intervistë për Deutsche Welle, Besnik Bislimi shprehu pakënaqësinë e thellë të Kosovës për mënyrën se si janë trajtuar palët në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Sipas tij, marrëveshjet e deritanishme nuk kanë sjellë përfitime reale për Kosovën. “Serbia ka marrë 2/3 e produktit që ka porositur brenda pesë javëve nga nënshkrimi i marrëveshjes bazike, përfshirë hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Kosova nuk ka marrë asnjë nga dy kërkesat kryesore: mbylljen e strukturave paralele dhe ndalimin e bllokadës në integrimin evropian,” tha ai.
Bislimi theksoi se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është bërë temë dominuese për shkak të, sipas tij, manipulimeve serbe dhe paaftësisë së BE-së për të vendosur barazi në tryezë. “Nuk ka marrëveshje për Asociacionin me Serbinë, por një marrëveshje për normalizim që përfshin 39 marrëveshje të tjera, shumica e të cilave nuk janë respektuar nga Serbia,” u shpreh ai.
Zëvendëskryeministri vuri në dukje se ndërsa Kosova akuzohet për moszbatim, Serbia nuk ka përmbushur asnjë nga detyrimet kryesore, përfshirë integrimin e strukturave të saj në Kosovë dhe ndalimin e fushatave kundër njohjes së shtetit.
Ai tha se BE-ja është treguar “e anshme” dhe se i ka bërë presion vetëm Kosovës, duke akomoduar kërkesat e Beogradit në funksion të ruajtjes së “stabilitetit” rajonal. “Tavolina s’ka qenë e barabartë. Serbia është konsideruar pala më e fortë sepse ka status kandidati dhe marrëveshje stabilizimi-asociimi,” theksoi Bislimi.
Për të ilustruar pabarazinë, ai solli shembullin e trajtimit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke theksuar se “asnjë shqiptar nuk është punësuar në polici, ndërsa Brukseli merret ende me kuotat për serbët në Kosovë.”
Megjithë kritikat, Bislimi tha se Kosova nuk do të ndalet së informuari BE-në për hapat e saj për integrimin e minoriteteve dhe zbatimin e reformave. Ai shprehu shpresën se me ndryshimet në udhëheqjen e re të BE-së, do të ndryshojë edhe qasja ndaj Kosovës: “Koha që BE-ja ta shohë Kosovën si partner të barabartë ka ardhur.”