
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit konfirmon se fëmijët e kopshtit publik në Gramsh u helmuan nga salmonela në vezët e përdorura për ushqimin ditor. Hetimet vazhdojnë, ndërsa institucionet reagojnë me vonesë.
Analizat laboratorike të kryera nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit kanë zbuluar se burimi i helmimit masiv në kopshtin publik të Gramshit ka qenë salmonela, e pranishme në vezët që iu servirën fëmijëve gjatë vakteve të përditshme.
Nga 79 persona të testuar, 17 rezultuan bartës të bakterit – përfshirë 16 fëmijë dhe një punonjëse të institucionit.
Ndërkohë që një pjesë e fëmijëve po trajtohen ende në shtëpi, Autoriteti ka vendosur pezullimin e aktivitetit të kopshtit deri në përfundimin e dezinfektimit të plotë.
Në terren kanë nisur hetimet e Prokurorisë së Elbasanit, e cila ka marrë në pyetje përgjegjësit e institucionit dhe furnizuesit. Produktet e tjera të konsumit, si mishi dhe qumështi, rezultuan të pastra.
Prindërit kanë protestuar përpara Bashkisë, duke ngritur akuza për mungesë transparence dhe kërkuar garanci për cilësinë e ushqimit që konsumojnë fëmijët.
Kjo ngjarje tronditëse nxjerr edhe një herë në pah problemet serioze me sigurinë ushqimore në institucionet publike, si dhe nevojën për rritjen e kontrollit dhe përgjegjësisë.