Komisioni Evropian do të hapë në qershor të gjithë kapitujt e negociatave me Shqipërinë, njoftoi të premten Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos.

Shqipëria do të hapë të gjithë kapitujt e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian brenda muajit qershor, deklaroi Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, gjatë një konference të Qendrës për Studime Evropiane në Bruksel.
“Na duhet të hapim një grup tjetër kapitujsh me Shqipërinë dhe kjo do të ndodhë në qershor. Me këtë, do të kemi hapur të gjithë kapitujt e negociatave,” tha Kos. Ajo theksoi se procesi do të vijojë me mbylljen graduale të kapitujve, një fazë po aq kritike sa hapja e tyre.
Kos përmendi se “një punë e jashtëzakonshme” po bëhet në Shqipëri, si nga qytetarët ashtu edhe nga liderët politikë, duke veçuar vendin në raport me rajonin.
Ajo shtoi se gjatë mandatit të saj synon që Ballkani Perëndimor të përfitojë nga zgjerimi i BE-së me anëtarë të rinj.