Ish-kryeministri Sali Berisha ka refuzuar të zbatojë statutin e Partisë Demokratike, i cili parashikon shkarkimin e tij automatik pas humbjes së zgjedhjeve, duke e cilësuar procesin elektoral si “farsë”. Berisha, gjatë një interviste televizive, refuzoi të pranonte rezultatin dhe përsëriti akuzat e tij të mëparshme për manipulim zgjedhor, duke u kundërvënë kështu edhe “nenit Basha” në statut, të cilin ai vetë e kishte futur.

Berisha, duke folur në emisionin “Log”, u pyet nga gazetarët në lidhje me refuzimin e tij për të pranuar humbjet e mëparshme zgjedhore. Gazetari Erl Murati vuri në dukje se Berisha rrallëherë ka pranuar rezultatin kur nuk ka qenë vetë organizator i zgjedhjeve, duke e krahasuar konferencën e tij pas zgjedhjeve të fundit me deklaratat e tij pas humbjeve në vitet 2000 dhe 2003.
“Nëse Berisha ka një kontribut të panjohur, që tejkalon me mijëra herë fuqinë e një njeriu, është beteja e tij për vlerën e votës,” u përgjigj Berisha, duke iu referuar periudhës pas zgjedhjeve të vitit 2001. Ai pretendoi se pavarësisht raporteve paraprake që i cilësonin zgjedhjet si të lira, ai nisi një betejë që sipas tij i bëri shërbim vendit duke penalizuar dhunimin e votës në arenën ndërkombëtare. Berisha shtoi se Parlamenti Europian miratoi një rezolutë ku thuhej se Parlamenti shqiptar nuk përfaqësonte vullnetin e shqiptarëve.
Duke iu referuar fitores së tij në vitin 2005, Berisha tha se negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Europian nuk hapeshin sepse “këtu nuk bëheshin zgjedhje”. Ai vlerësoi ish-kryeministrin Fatos Nano për pranimin e verdiktit në vitin 2005 si një kusht themelor. Berisha kritikoi gjithashtu kryeministrin aktual Edi Rama për deklaratat e tij të mëparshme në lidhje me kohën e largimit nga pushteti.
Gazetari Endri Xhafo e pyeti Berishën për rënien e numrit të votave dhe shpresat e tij për fitore në vitin 2029, duke marrë parasysh edhe ndryshimin e qëndrimit të Shteteve të Bashkuara ndaj tij. Berisha u përgjigj duke theksuar se procesi i mbrojtjes së votës është një rrugë e përcaktuar dhe se ai do të paraqesë raporte në institucionet ndërkombëtare.