Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se zgjedhjet parlamentare të 11 majit nuk ishin të lira dhe të ndershme, duke i cilësuar si farsë elektorale.

Sali Berisha, kryetari i Partisë Demokratike, ka akuzuar sot qeverinë për organizimin e asaj që ai e cilësoi si “farsë elektorale” në zgjedhjet e 11 majit. Në një intervistë televizive, Berisha u shpreh se procesi zgjedhor i këtij muaji nuk plotësoi kriteret bazë demokratike.
“Në 11 maj nuk pati zgjedhje, por farsë elektorale,” tha ai. “99% e vendeve zhvillojnë zgjedhje, por narkodiktaturat zhvillojnë farsa.”
Berisha theksoi se zgjedhjet e vërteta bazohen në barazi dhe garë të ndershme, ndërsa 11 maji, sipas tij, ishte shembulli i kundërt. Ai përmendi 16 dokumente ndërkombëtare që garantojnë standardet zgjedhore dhe tha se ato janë shkelur.
Duke iu referuar raportit paraprak të OSBE/ODIHR, ai akuzoi qeverinë për dhunimin e rekomandimeve të këtij institucioni si dhe të Kodit të Venecias për parandalimin e keqpërdorimit të administratës dhe burimeve shtetërore. Po ashtu, ai tha se janë injoruar direktivat e Këshillit të Europës për zgjedhjet.
“Ne mbrojtëm votën e shqiptarëve dhe zbatuam Kushtetutën,” përfundoi Berisha.