
Policia e Tiranës ka përmbyllur me sukses operacionin “Puzzle”, që çoi në arrestimin e 10 personave dhe sekuestrimin e armëve, municioneve, automjeteve dhe farave të kanabisit.
Pas një hetimi 5-mujor me metoda proaktive, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Tiranë dhe nën drejtimin e Prokurorisë, finalizoi operacionin “Puzzle”.
Gjatë operacionit u sekuestruan:
- 14 armë zjarri (12 pistoleta, njëra me silenciator dhe 2 automatikë)
- 2077 fara cannabisi
- Municion dhe krehra luftarakë
- 3 automjete
- 8 celularë
Janë identifikuar 12 persona të dyshuar për trafik armësh, kryesisht nga Kosova drejt Tiranës. Nga këta, 10 u arrestuan dhe 2 janë shpallur në kërkim.
Në banesën e njërit prej të arrestuarve, K. F., u zbuluan dhe sekuestruan farat e kanabisit.
Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë kriminale, si dhe për të kapur personat ende në kërkim. Policia shqiptare po bashkëpunon ngushtë me autoritetet e Kosovës për këtë qëllim.