Një dokument jozyrtar i përpiluar nga Franca dhe Gjermania u bën thirrje institucioneve të BE-së të pezullojnë financimet dhe të vendosin sanksione ndaj zyrtarëve të Republikës Sërpska për minimin e rendit kushtetues në Bosnje e Hercegovinë.

Franca dhe Gjermania kanë përpiluar një dokument jozyrtar (“non-paper”), në të cilin i kërkojnë Bashkimit Evropian të ndërpresë mbështetjen financiare për Republikën Sërpska dhe të shqyrtojë vendosjen e sanksioneve të synuara ndaj individëve që minojnë sovranitetin dhe rendin kushtetues të Bosnje e Hercegovinës.
Dokumenti, i siguruar nga Radio Evropa e Lirë dhe datuar më 12 maj 2025, vlerëson se kriza aktuale përbën rrezikun më serioz për rendin kushtetues të vendit në 30 vitet e fundit. Ai përmend një sërë veprimesh të autoriteteve të Republikës Sërpska pas dënimit të presidentit Millorad Dodik, përfshirë ligje që kufizojnë funksionimin e institucioneve shtetërore në territorin e këtij entiteti dhe përpjekjen për një kushtetutë të re.
Në dokument theksohet se qëllimi i menjëhershëm duhet të jetë shfuqizimi i ligjeve jokushtetuese dhe tërheqja e draftit të ri të kushtetutës së RS. Zgjidhja afatgjatë kërkon rikthimin e plotë të këtij entiteti në rendin kushtetues të Bosnjës dhe përkushtimin e tij ndaj funksionimit të institucioneve shtetërore.
Masat e propozuara përfshijnë: pezullimin e projekteve të BE-së që janë të dobishme për RS, ndalimin e kontakteve me zyrtarët e saj, koordinimin me institucionet financiare ndërkombëtare për ndërprerjen e ndihmës dhe vendosjen e sanksioneve ndaj individëve përmes kornizës ekzistuese për masa kufizuese të BE-së.
Gjithashtu, shtetet anëtare të BE-së inkurajohen të ndërmarrin masa kombëtare, përfshirë ndalime udhëtimi për zyrtarët e RS, si Dodik, Vishkoviq dhe Stevandiq, ndërsa komunikimi i kufizuar duhet të fokusohet në mesazhe për rikthimin në rendin kushtetues.
Bosnje e Hercegovina është vend kandidat për anëtarësim në BE, dhe sipas dokumentit, veprimet e Republikës Sërpska janë të papajtueshme me këtë status.