Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) hodhi poshtë të premten kërkesën e katër kandidatëve të Partisë Demokratike për rinumërim votash në qarqet Tiranë dhe Durrës, duke deklaruar se kërkesa nuk kishte legjitimitet ligjor.

KAS vendosi të rrëzojë kërkesën për rinumërim të votave të paraqitur nga katër kandidatë të Partisë Demokratike, me arsyetimin se një kërkesë e tillë duhet të paraqitet nga vetë subjekti politik.
Kandidatët Ilir Alimehmeti, Mimoza Hajdarmataj, Lisandër Hoxha dhe Aulon Kalaja kishin kërkuar rinumërimin e votave në dy nga qarqet më të mëdha të vendit, por KAS theksoi se “nuk legjitimohet kërkesa kur nuk vjen nga subjekti zgjedhor”.
Vendimi u mor në dhomë këshillimi dhe është i formës së prerë për këtë fazë të procesit zgjedhor.