Përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë i bënë thirrje të premten Kuvendit që të konstituohet dhe të ratifikojë Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian, duke paralajmëruar se vonesat rrezikojnë fondet e BE-së dhe kredibilitetin ndërkombëtar të vendit.

Organizatat e shoqërisë civile në Kosovë kërkuan nga deputetët që të tejkalojnë ngërçin politik dhe të ratifikojnë marrëveshjen për Planin e Rritjes të BE-së, e cila përfshin mbështetje financiare deri në 883 milionë euro për reformat evropiane.
Në një reagim publik, ato paralajmëruan se vonesat e mëtejshme jo vetëm që rrezikojnë humbjen e 61.8 milionë eurove në parafinancim, por edhe ndikojnë negativisht në reputacionin e Kosovës si partnere e besueshme për integrimin evropian.
Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet, ndonëse seanca e parë u mbajt më 15 prill. Dështimi në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, për shkak të kundërshtimit të opozitës ndaj kandidaturës së Albulena Haxhiut nga Vetëvendosje, ka çuar në 23 përpjekje të pasuksesshme për të themeluar institucionet.
Ndërkombëtarët kanë kërkuar nga autoritetet në Prishtinë të përmbyllin këtë proces pas zgjedhjeve të shkurtit, për të lejuar formimin e qeverisë së re.