
Ministri Arbjan Mazniku thotë se Shqipëria po përdor Inteligjencën Artificiale për të përshpejtuar përafrimin me legjislacionin e BE-së dhe për të rritur cilësinë e shërbimeve publike.
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, deklaroi nga Uashingtoni se Shqipëria është kthyer në një shembull inovator të përdorimit të Inteligjencës Artificiale në sektorin publik.
Gjatë pjesëmarrjes në Forumin Global për Inovacionin në Sektorin Publik, të organizuar nga Banka Botërore, Mazniku theksoi se AI po ndihmon Shqipërinë në përshpejtimin e procesit të integrimit europian.
“Në bashkëpunim me OpenAI, po përdorim Inteligjencën Artificiale për të përshpejtuar përafrimin me legjislacionin e BE-së, paralelisht me rritjen e efikasitetit të administratës, transparencës dhe shërbimeve më pranë qytetarit,” shkroi Mazniku në rrjetet sociale.