Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka kërkuar zyrtarisht Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, të ruajë neutralitetin institucional dhe të distancohet nga çdo përfshirje e mundshme e kabinetit të tij në procesin zgjedhor. Kërkesa vjen në kontekstin e rolit të këshilltarit ligjor të Presidentit, Ilirjan Rusmali, si anëtar i Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ.

Në një letër të firmosur nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, theksohet se përfshirja e zyrtarëve të kabinetit të Presidentit në një institucion që merret me administrimin dhe shqyrtimin e ankesave zgjedhore “cënon parimin e neutralitetit dhe përfaqësimit të unitetit të popullit”.
Sipas PD-së, prania e këshilltarit Rusmali në KAS, ndërkohë që ai mban edhe një funksion pranë Presidentit, përbën një ndërthurje të papranueshme institucionalisht. Në letër thuhet se kjo situatë mund të dëmtojë imazhin e institucionit të Presidentit dhe të ndikojë negativisht në perceptimin për paanshmërinë e tij në raport me zgjedhjet.
“Ndërhyrja në procesin zgjedhor përmes Kabinetit tuaj mund të shihet si përfshirje indirekte në certifikimin e një procesi për të cilin ka pasur shqetësime serioze, përfshirë edhe në raportin paraprak të OSBE/ODIHR,” thuhet në letër.
Partia Demokratike i kërkon Presidentit:
- Të sqarojë nëse ka autorizuar përfshirjen e kabinetit në administrimin e zgjedhjeve;
- Të distancohet nga çdo qëndrim publik i zyrtarëve të tij ndaj përfaqësuesve të PD në KQZ;
- Të garantojë ruajtjen e neutralitetit dhe paanshmërisë institucionale gjatë gjithë procesit zgjedhor.
PD e përmbyll letrën me thirrjen për rikthimin e standardeve të ndarjes së pushteteve dhe shmangien e çdo perceptimi për “shkrirje të shtetit me partinë në pushtet”.