
Qeveria ka miratuar financimin prej 80 milionë lekësh për fondacionin “Durrah City Football Academy”, i parashikuar në buxhetin e vitit 2025 për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.
Këshilli i Ministrave miratoi të enjten përdorimin e fondit prej 80 milionë lekësh për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, me qëllim financimin e aktivitetit të fondacionit “Durrah City Football Academy”.
Sipas vendimit, fondi do të transferohet në llogarinë bankare të fondacionit në një bankë të nivelit të dytë.
Fondacioni është i detyruar të dorëzojë deri në fund të shkurtit 2026 një raport të detajuar të shpenzimeve të kryera gjatë vitit 2025, të miratuar nga bordi i tij drejtues.
Në vendim theksohet se fondet e akorduara duhet të administrohen sipas rregullave të menaxhimit financiar dhe kontrollit, në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi.