
Nga Zenel Çeliku
Për të analizuar rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit, është e domosdoshme të ndalemi te disa faktorë kyç: rezultati elektoral, gjendja e brendshme e Partisë Demokratike (PD), konteksti opozitar, figurat e konsumuara dhe të akuzuara për korrupsion, si edhe sfidat që e presin PD-në si forca kryesore opozitare në Shqipëri.
PD-ja kishte shfaqur shenja të qarta krize që në zgjedhjet vendore të dy viteve më parë, duke marrë një rezultat të dobët. Kjo pasqyron një krizë të thellë përfaqësimi dhe legjitimiteti, ku figurat politike të degraduara vijojnë të jenë në krye të skenës. Një faktor tjetër thelbësor është përçarja e brendshme, e shkaktuar në pjesë të madhe nga procesi i primareve.
Një fenomen i veçantë ndodhi më 11 maj: shumë kandidatë që triumfuan në primare, duke fituar përballë figurave të konsumuara si Albana Vokshi, Flamur Noka, Jozefina Topalli, Xhelal Mziu, Gazment Bardhi e të tjerë, për habinë e demokratëve, mbetën jashtë listave të sigurta për deputetë. Kjo krijoi një paradoks të thellë në gjirin e PD-së. Përçarja e brendshme u thellua nga dualizmi midis fituesve të primareve dhe personazheve të rizgjedhur pa votim, duke e theksuar ndarjen e partisë në dy rryma: njëra e përfaqësuar nga figura të vjetra dhe të lidhura ngushtë me Sali Berishën, dhe tjetra nga emra të rinj, me mbështetje më të gjerë nga demokratët në terren.
Përtej kësaj ndarjeje të brendshme, ekzistojnë edhe dy grupime të tjera opozitare të drejtuara nga Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj, që ndonëse jashtë PD-së zyrtare, kanë ndikuar negativisht në imazhin dhe kohezionin e saj në opinionin publik. Mungesa e një gjuhe të përbashkët midis këtyre grupimeve dhe PD-së para zgjedhjeve ka kontribuar në dobësimin e partisë përballë Partisë Socialiste, e cila gëzon avantazhin e qeverisjes.
Në këtë kontekst, PD-ja mbetet e ndarë. Grupi i drejtuar nga Sali Berisha përfshin shumë figura të përfolura për korrupsion dhe me pengesa ligjore brenda dhe jashtë vendit. Ky grup dominon aktualisht strukturën parlamentare të partisë, por po përballet me kritika të ashpra nga opinion publik dhe nga vetë mbështetësit demokratë. Ndërkohë, figura të tjera që fituan në primare, por u lanë jashtë listave, ndihen të tradhtuar dhe të përjashtuar nga partia që kanë kontribuar për vite me radhë.
Nga ana tjetër, qeveria socialiste është përballur me akuza për korrupsion dhe pakënaqësi të theksuar shoqërore. Kjo krijon një terren të favorshëm për një opozitë të fortë. Por a është PD-ja në gjendje të ofrojë një opozitë konstruktive kur, prej dekadash, refreni i saj pas çdo humbjeje është “nuk i njohim zgjedhjet”?
Retorika e përsëritur e mohimit të rezultatit zgjedhor ka konsumuar rëndë besueshmërinë e PD-së. Në këtë situatë, partia ka nevojë për një proces të thellë vetëpastrimi nga figura të komprometuara, si dhe për përfshirjen e emrave të rinj, me integritet moral dhe kredibilitet publik. Jo vetëm kritika, por edhe alternativa konkrete dhe një mesazh i qartë për një opozitë serioze janë thelbësore.
Për të dalë nga ky ngërç politik, PD-së i nevojitet urgjentisht një ristrukturim i brendshëm dhe një bashkim institucional i të gjitha grupimeve që përfaqësojnë vullnetin e elektoratit opozitar. Një Kongres apo Kuvend gjithëpërfshirës duhet të rikonfigurojë udhëheqjen në mënyrë legjitime.
PD-ja duhet të formulojë një ofertë të re politike me fokus te shteti ligjor, drejtësia, ekonomia dhe integrimi europian. Vetëm në këtë mënyrë mund të rikthehet si një alternativë e besueshme qeverisëse.
Në përfundim, rruga e PD-së pas 11 majit varet nga aftësia për bashkim, vetëreformim dhe qartësi strategjike. Nëse mungojnë këto elemente, rreziku për të mbetur në periferi të jetës politike është i madh, edhe në zgjedhjet e ardhshme. Por nëse arrin të kapë momentin dhe të ndërtojë besimin e humbur, Partia Demokratike mund të rikthehet si një aktor i rëndësishëm në skenën politike shqiptare.