Qeveria synon të rikthejë udhëtimin me tren për pasagjerët, duke hapur rrugën për koncesionin e linjës Tiranë–Durrës–Rinas. Projekti pritet të nisë operimin në vitin 2026.

Linja hekurudhore që lidh Tiranën me Durrësin dhe Aeroportin e Rinasit pritet të bëhet funksionale nga mesi i vitit 2026, ndërsa Ministria e Infrastrukturës po përgatit hapjen e garës për përzgjedhjen e operatorit që do të ofrojë shërbimin për pasagjerët.
Sipas të dhënave zyrtare, udhëtimi nga Tirana në Durrës do të zgjasë rreth 36 minuta, ndërsa nga Tirana në Rinas vetëm 20 minuta. Lidhja Durrës–Rinas do të përshkohet për afro 28 minuta. Linja përbëhet nga një rrjet prej rreth 85 km hekurudhë, që përfshin rehabilitimin e segmentit ekzistues Tiranë–Durrës dhe ndërtimin e një degëzimi të ri drejt aeroportit.
Përveç operimit të trenave, kontrata e koncesionit mund të përfshijë edhe furnizimin dhe mirëmbajtjen e mjeteve, si dhe mbledhjen e të ardhurave nga biletat. Trenat e përdorur, të rinj apo me qira, pritet të jenë pjesë e opsioneve të mundshme që do të ofrojë operatori i përzgjedhur.
Gara për përzgjedhjen e kompanisë do të hapet në tremujorin e tretë të vitit 2025. Në fazën e parë, përllogaritet që trenat të përshkojnë 1.1 milion kilometra në vit, me objektivin për t’u rritur në rreth 4 milion kilometra në vitin 2036, falë zgjerimit të linjave drejt Veriut dhe Juglindjes së vendit, përfshirë Vorën, Hanin e Hotit dhe Pogradecin.