Shqipëria është përfshirë në listën e destinacioneve më të rekomanduara për verën 2025 nga gazeta britanike “Metro”, me Vlorën që cilësohet si një alternativë më e qetë dhe më e përballueshme ndaj qyteteve të njohura si Spliti në Kroaci.

E përditshmja britanike “Metro” i kushton një vëmendje të veçantë Vlorës në guidën e saj të udhëtimeve për verën e këtij viti. Ajo e përshkruan këtë qytet të Rivierës Shqiptare si një vend me plazhe mahnitëse, klimë mesdhetare dhe një atmosferë të gjallë, por pa turmat dhe çmimet e kripura që karakterizojnë destinacionet më të famshme të rajonit.
“Vlora është e ngjashme me Splitin, por më e qetë”, shkruan “Metro”, duke e vënë theksin tek peizazhi i mrekullueshëm mes detit Jon dhe maleve përreth. Turistët mund të shijojnë plazhe të pastra e të paprekura, ushqim të shijshëm në restorantet lokale me çmime të arsyeshme, si dhe aktivitete kulturore gjatë verës.
Ndërsa dita ofron relaks buzë detit, mbrëmjet në Vlorë janë po aq të gjalla. Qendra historike gumëzhin nga vizitorë dhe banorë, me dyqane, kafene dhe restorante që krijojnë një atmosferë mikpritëse dhe dinamike.
Gazeta e përfundon rekomandimin e saj me një notë pozitive: Vlora është ende një “perlë e fshehur” për shumicën e turistëve ndërkombëtarë, por që nuk bën kompromis kur vjen puna tek energjia dhe përjetimi autentik i pushimeve mesdhetare.