Qeveria ka miratuar 1 miliard lekë për startup-in “Thinking Machines Lab” të Mira Muratit, si pjesë e rishikimit të buxhetit 2025, për të nxitur zhvillimin e inteligjencës artificiale në Shqipëri.

Qeveria shqiptare ka miratuar një fond prej 1 miliard lekësh për startup-in “Thinking Machines Lab”, themeluar nga Mira Murati, ish-drejtoreshë teknologjike e OpenAI. Fondi është pjesë e rishikimit të parë të buxhetit për vitin 2025 dhe vjen nga të ardhurat jotatimore të gjeneruara nga pasuritë e konfiskuara.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, njoftoi në Kuvend se investimi kanalizohet përmes Korporatës së Investimeve Shqiptare dhe synon të rrisë përfshirjen e Shqipërisë në zhvillimin e teknologjive të avancuara, si dhe të mbështesë startup-et vendase në fushën e inovacionit.
Startup-i në fjalë është mbështetur nga investitorë globalë si Andreessen Horowitz dhe Sequoia Capital dhe zhvillon sisteme AI që integrojnë tekst, pamje, audio dhe ndërveprim.
Ndryshimi buxhetor nuk prek nivelin e deficitit, i cili mbetet në 68 miliardë lekë, siç është parashikuar në buxhetin fillestar të vitit 2025.