
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut, duke propozuar që ato të zhvillohen njëkohësisht me zgjedhjet lokale në vjeshtën e vitit 2025.
Duke folur në një aktivitet për 23-vjetorin e themelimit të partisë në Shkup, zoti Ahmeti theksoi se situata aktuale politike dhe mënyra se si, sipas tij, po trajtohen shqiptarët në vend, kërkon një rikthim te qytetari përmes zgjedhjeve të reja.
Ai përmendi ndër të tjera, si shqetësim, trajtimin e gjuhës shqipe në institucione, të cilën e cilësoi si të mohuar nga maxhoranca qeverisëse, si dhe përjashtimin e shqiptarëve nga proceset vendimmarrëse. “Të drejtat e shqiptarëve janë cenuar. Gjuha shqipe, e garantuar me Kushtetutë, sot injorohet,” deklaroi Ahmeti.
Lideri i BDI-së mbrojti rolin e partisë së tij ndër vite, duke thënë se ajo ka ndikuar që shqiptarët të jenë pjesë aktive në të gjitha nivelet institucionale. Ai u shpreh i gatshëm për hetim publik mbi pasuritë e politikanëve, përfshirë edhe atë vetë, duke sfiduar opozitën dhe qeverinë të bëjnë transparencë për privatizimet dhe burimet e pasurisë nga viti 1991 deri në 2001.
Zoti Ahmeti kritikoi gjithashtu koalicionin shqiptar VLEN, pjesë e qeverisë aktuale, për atë që e quajti “diskriminim të shqiptarëve dhe largim të tyre nga institucionet”. Ai nënvizoi rëndësinë e marrëdhënieve ndëretnike për stabilitetin e vendit, duke theksuar se shqiptarët janë dhe mbeten një faktor thelbësor për paqen dhe sigurinë e brendshme të Maqedonisë së Veriut.