
Tiranë – Ilir Alimehmeti, kandidat për deputet në listat e hapura të Partisë Demokratike, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me procesin e rinumërimit të votave në zgjedhjet e 11 majit, duke theksuar nevojën për një hetim të plotë nga organet kompetente.
I ftuar në emisionin “Ngjarja Kryesore” në RTSH, Alimehmeti komentoi hapjen e 42 kutive të votimit në qarkun Dibër, duke thënë se janë konstatuar parregullsi që cenojnë votën preferenciale. Sipas tij, disa fletë votimi të dokumentuara në video nga KQZ, kur janë rihapur kutitë, nuk kanë qenë më të pranishme, duke ngritur dyshime për manipulim.
Në lidhje me ankimimin në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve (KAS), ai sqaroi se fillimisht kërkesa kishte të bënte me pavlefshmëri, ndërsa më pas është kërkuar rivlerësim dhe rinumërim të votave.
“Po të ishte bërë më herët nga Partia Demokratike, unë nuk do ta kisha bërë ankimimin”, u shpreh ai, duke theksuar se mbrojtja e votës është çështje parimore dhe institucionale.