
Ambasadorja e Shqipërisë në Izrael, Meri Kumbe, tha të premten se ambasada ndodhet në gatishmëri të plotë për shkak të përshkallëzimit të tensioneve mes Izraelit dhe Iranit. Ajo bëri të ditur se stafi po punon nga shtëpia dhe se janë ndërmarrë masa të rrepta sigurie.
“Që prej orës 3 të mëngjesit të djeshëm jemi në gatishmëri të plotë. Shërbimet në vend janë të kufizuara. Zyrat tona nuk janë hapur, sipas udhëzimeve të sigurisë,” tha Kumbe për Euronews Albania.
Ajo tha se pesë qytetarë shqiptarë që ndodhen aktualisht në Izrael janë udhëzuar të qëndrojnë pranë dhomave të sigurisë. Sipas saj, ambasada është në kontakt të vazhdueshëm me ta dhe po bashkëpunon me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme në Tiranë.
Ambasadorja shtoi se situata mbetet e paqëndrueshme dhe se autoritetet izraelite e kanë cilësuar si një “luftë”, dhe jo thjesht një incident i izoluar.
“Prioriteti ynë është që qytetarët të informohen në kohë reale dhe të ndjekin udhëzimet e sigurisë,” tha Kumbe.