
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi një vizitë zyrtare në Kalabri, ku u takua me komunitetin arbëresh në disa komuna të rajonit. Gjatë vizitës, ai i cilësoi arbëreshët si “urë lidhëse mes Shqipërisë dhe Italisë, mes identitetit dhe integrimit”.
Begaj nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës, traditave dhe historisë arbëreshe, duke i quajtur komunitetet “rojtarët më të mirë të shpirtit identitar shqiptar”.
Ai shprehu mbështetjen për përfshirjen e “Motit të Madh” në UNESCO dhe propozoi thellimin e bashkëpunimit ekonomik e kulturor mes Shqipërisë dhe rajonit të Kalabrisë, përmes projekteve në turizëm, bujqësi, artizanat dhe shkëmbime akademike.
Në përfundim, Presidenti njoftoi se tri komuna arbëreshe do të pajisen me bustin e Skënderbeut si simbol i qëndresës dhe identitetit shqiptar.