
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi qeverinë se ka shpërdoruar pushtetin ekzekutiv për blerje votash përmes dhënies së 6 mijë lejeve legalizimi gjatë periudhës së ndaluar nga ligji zgjedhor. Në një konferencë për shtyp, Berisha paraqiti të dhëna për lejet e lëshuara në qarqe të ndryshme të vendit, duke e quajtur këtë një “abuzim masiv”.
Ai u shpreh se raporti i Këshillit të Evropës për zgjedhjet e 11 majit konfirmon se në Shqipëri funksionon një “parti-shtet” dhe rekomandon reformimin e SPAK, të cilin Berisha e cilësoi “bashkautor në krimin elektoral”.
Sipas tij, qeveria ka shtetëzuar edhe votën e diasporës dhe ka përdorur certifikatat e pronësisë dhe lejet e ndërtimit për të ndikuar në rezultatin zgjedhor. Berisha paralajmëroi se do të publikojë të dhëna të tjera në ditët në vijim mbi këto praktika.