Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar nga Brukseli pas diskutimit të raportit të Komitetit për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian, duke e cilësuar dokumentin si një denoncim të qartë të zgjedhjeve të 11 majit dhe të qeverisjes së Edi Ramës.

Sali Berisha tha se raporti i PE-së i vuri një damkë të rëndë zgjedhjeve të fundit, duke i cilësuar si farsë elektorale që shkelën rregullat themelore të demokracisë. Sipas tij, dokumenti konfirmon se regjimi i Edi Ramës është ndërtuar mbi ndërhyrje politike në drejtësi, shkelje të lirive dhe të drejtave të qytetarëve dhe një klimë gjithnjë e më represive.
Berisha theksoi se raporti adreson probleme të thella me funksionimin e shtetit ligjor në Shqipëri, përfshirë mungesën e një procesi të drejtë gjyqësor, stokun e dosjeve të pazgjidhura dhe ndërhyrjet në median e lirë. Ai nënvizoi gjithashtu përmendjen e ligjit për investimet strategjike, që sipas tij është dënuar si një instrument i favorizimit klientelist dhe i shkeljes së të drejtave të pronarëve.
Në këtë kuadër, Berisha vuri në dukje mbështetjen e hapur nga përfaqësues të Partive Popullore Europiane për shqetësimet mbi lidhjet e politikës shqiptare me krimin e organizuar dhe përpjekjet për të ndërprerë trendin e kapjes së institucioneve.
Ai përfundoi duke paralajmëruar një angazhim më të fortë të qytetarëve shqiptarë në diasporë për të marrë pjesë aktive në proceset zgjedhore, si një mënyrë për të rivendosur besimin në demokracinë shqiptare.