
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot nga selia blu se zgjedhjet parlamentare të 11 majit përbëjnë një “farsë elektorale” dhe se Partia Demokratike nuk do t’i njohë ato.
Berisha tha se kjo çështje është diskutuar edhe në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të cilën ai e përshkroi si institucion me dy shtylla kryesore: zgjedhjet e lira dhe shtetin ligjor.
Ai publikoi të dhëna që, sipas tij, tregojnë manipulimin e procesit zgjedhor, përfshirë zëvendësimin e kutive të votimit me të tjera të mbushura jashtë qendrave zgjedhore. “Kutitë janë ndërruar, disa prej tyre të ardhura nga selia e PS apo nga qendra ilegale të patronazhistëve,” u shpreh ai.
Berisha shtoi se këto të dhëna, bashkë me shumë të tjera, dëshmojnë se zgjedhjet nuk reflektojnë vullnetin e qytetarëve dhe nuk do të njihen nga PD.