Mijëra besimtarë myslimanë në Shqipëri kanë nisur ditën e Kurban Bajramit me faljen e namazit në sheshe dhe xhami, duke përcjellë mesazhe paqeje, solidariteti dhe ruajtjeje të vlerave familjare.

Kurban Bajrami, një nga festat më të mëdha të besimit islam, ka nisur sot me faljen e mëngjesit në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Në Tiranë, mijëra besimtarë janë mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa falje të organizuara janë mbajtur edhe në të gjitha xhamitë e vendit.
Kreu i Komunitetit Mysliman, Haxhi Bujar Spahiu, në mesazhin drejtuar besimtarëve, theksoi rëndësinë e kësaj dite për bashkimin, mëshirën dhe ndihmën ndaj njëri-tjetrit. Ai nënvizoi se feja islame e lidh besimin me veprën dhe përgjegjësinë shoqërore.
Nënkryetari Taulant Bica u ndal te sfidat që përballen familjet në epokën e globalizimit dhe ndikimet e materializmit, duke e cilësuar familjen si një institucion që duhet mbrojtur nga zbehja e vlerave tradicionale.
Gjatë ditës, besimtarët pritet të presin kurbanin, të vizitojnë të afërmit dhe të ndajnë ushqim me njerëzit në nevojë. Pritjet tradicionale zhvillohen në selinë e Komunitetit Mysliman deri në orën 12:00.
Në Mekë, mbi 600 shqiptarë po marrin pjesë në Haxh, pelegrinazhin e shenjtë që përkon me festën e Kurban Bajramit.