Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka kërkuar që dialogu me Serbinë të mos ndalet, pavarësisht bllokadës politike në Prishtinë, ndërsa nënvizoi se ka tema konkrete nga të cilat Kosova mund të përfitojë nëse Serbia tregon konstruktivitet.

Në takimin e tij të parë me Peter Sorensenin, të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, theksoi rëndësinë e vijimit të bisedimeve. Takimi, që pritej të ishte trepalësh më 2 qershor, u mbajt vetëm në format bilateral për shkak të vonesave nga pala serbe.
Bislimi tha se me Sorensenin janë diskutuar çështje të rëndësishme si menaxhimi i kufirit dhe ndihma për shqiptarët në Luginën e Preshevës, ndërsa theksoi se Kosova nuk duhet të humbasë këto mundësi për shkak të krizës institucionale të brendshme.
Dialogu me Serbinë, që vijon që nga viti 2011 me ndërmjetësim të BE-së, nuk ka sjellë rezultate të plota për shkak të mungesës së zbatimit të shumë marrëveshjeve. Megjithatë, BE-ja vijon përpjekjet për të rikthyer palët në tryezën e bisedimeve, me ndërhyrjen e kryediplomates Kaja Kallas, e cila vizitoi së fundmi Prishtinën dhe Beogradin.
Ndërkohë, Kosova ndodhet në një ngërç institucional, pasi Kuvendi ka dështuar për herë të 25-të të konstituohet, duke shtyrë formimin e qeverisë së re. Përfaqësuesit ndërkombëtarë u kanë bërë thirrje partive politike që të zhbllokojnë situatën për të garantuar stabilitet institucional dhe përparim në procesin e integrimit evropian.