
Tiranë – Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka komentuar fitoren e thellë të PS në zgjedhjet e 11 majit, duke e cilësuar rezultatin me 83 mandate si një përgjegjësi të madhe dhe një mundësi për të reflektuar dhe përmirësuar më tej qeverisjen.
Në një intervistë televizive, Braçe tha se procesi i rinumërimit të votave po zhvillohet sipas dispozitave të reja ligjore, pa pasur domosdoshmërisht prova të manipulimeve. Ai theksoi se ndonëse procesi po ndiqet nga Partia Demokratike dhe aktorë të tjerë përmes institucioneve, në fund duhet të respektohet vendimi i organeve përkatëse.
Duke rikujtuar përvojën e tij në zgjedhjet e vitit 2009 në Berat, Braçe solli në vëmendje rastin kur humbi mandatin për pak vota dhe kërkoi rinumërim, por në atë kohë nuk pati as mbështetje ligjore, as institucionale. Ai vuri në dukje se ndryshimet në Kodin Zgjedhor që po përdoren sot janë arritur pas protestave dhe bojkotit të PS në atë periudhë.
Braçe theksoi se në disa zona, si Tirana dhe Fieri, rinumërimi po bëhet pa prova të qarta, ndërsa kritikoi pretendimet e aktorëve të opozitës që, sipas tij, nuk kanë mbështetje faktike. Ai shtroi pyetjen se çfarë do të ndodhë nëse procesi i rinumërimit konfirmon rezultatin ekzistues dhe i bëri thirrje kundërshtarëve të pranojnë vullnetin e votuesve.