
Tiranë – Qyteti bregdetar i Durrësit është përzgjedhur nga platforma “Airbnb” si një nga destinacionet më të kërkuara për verën 2025 nga udhëtarët britanikë, duke u cilësuar si një version më ekonomik i Ibizës.
Në një artikull të publikuar në gazetën britanike “Mirror”, Durrësi përshkruhet si një vend që kombinon plazhe të pastra, jetë nate të gjallë dhe një atmosferë bohemiane, por me kosto të ulët. “Britanikët po kërkojnë më shumë destinacione që ofrojnë përvojën e Ibizës pa çmimet e saj”, thuhet në raportin e “Airbnb”.
Përveç jetës së natës dhe aktiviteteve në plazh, Durrësi ofron edhe një histori të pasur kulturore. Me gati 3,000 vjet histori, qyteti njihet si një nga portet më të vjetra në Ballkan. Muzeu Arkeologjik, galeritë dhe teatrot janë ndër atraksionet kulturore që tërheqin turistët.
Durrësi është gjithashtu i njohur për plazhet e tij të gjëra dhe me rërë të butë, përfshirë plazhin e qytetit, plazhin e Golemit, si dhe plazhe më të qeta si Spilleja, Currilat dhe Kepi i Rodonit. Aktivitetet përfshijnë sporte ujore, joga dhe volejboll plazhi.
Sipas “Airbnb”, kërkimet për pushime në Durrës nga turistët britanikë janë në rritje, ndërsa Shqipëria po shfaqet gjithnjë e më tepër si një destinacion i ri mesdhetar me potencial të lartë turistik.