Mbi 150 arkitektë ndërkombëtarë janë mbledhur në Tiranë për festivalin “Bukë dhe Zemër”, një ngjarje e re europiane që synon të bëhet një pikë referimi globale për debatet mbi zhvillimin urban dhe social.

Festivali “Bukë dhe Zemër” ka hapur dyert në Tiranë duke mbledhur arkitektë të njohur nga Europa, Azia, Amerika Veriore dhe Jugore. Ngjarja synon të nxisë diskutime mbi sfidat urbane dhe sociale të ditëve të sotme dhe të kontribuojë në formulimin e politikave të reja për zhvillimin e Shqipërisë dhe Ballkanit si pjesë e Europës.
Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij, tha se ky festival vendos Shqipërinë në një tjetër hartë prestigjioze të Europës, me ambicien që të kthehet në një eveniment global ku arkitektura dhe disiplina të tjera takohen për të bashkëkrijuar ide të reja.
Rama theksoi se Shqipëria nuk i tërheq arkitektët me para, por me një frymë lirie dhe mundësinë për të ndërtuar mbi një ëndërr të përbashkët. Ai e cilësoi festivalin si një “Bajram shpirti” që përkon simbolikisht me ditën e Kurban Bajramit, duke e parë këtë përputhje si një bekim dhe jo rastësi.
Festivali “Bukë dhe Zemër” sjell në fokus arkitekturën si një mjet për dialog, përfytyrim dhe transformim, përtej kufijve tradicionalë të disiplinës.