
Tiranë – Shqipëria ka nisur zbatimin e një programi kombëtar për të rinjtë, që synon mbështetjen e tyre në tregun e punës dhe sistemin arsimor. Programi, me një fond prej 63.5 milionë eurosh, është pjesë e Strategjisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive 2023–2030 dhe financohet nga Bashkimi Europian dhe buxheti i shtetit.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, tha se iniciativa synon të ndihmojë të rinjtë e papunë dhe ata jashtë sistemit arsimor ose të formimit profesional që të marrin një ofertë konkrete punësimi, arsimi apo trajnimi brenda katër muajve nga regjistrimi në program.
Aktualisht programi pilotohet në tre rajone: Tiranë, Shkodër dhe Vlorë, përmes nëntë bashkive. Deri tani janë regjistruar mbi 1000 të rinj, shumica e të cilëve janë femra. Sipas të dhënave zyrtare, mbi 70 për qind e të regjistruarve kanë marrë një ofertë konkrete, ndërsa 764 janë integruar në punë ose në sistemin arsimor.
Për vitin 2025 parashikohet të identifikohen 1500 të rinj të tjerë, ndërsa objektivi afatgjatë është që deri në vitin 2030, 40 mijë të rinj të përfitojnë nga programi dhe niveli i të rinjve jashtë punës dhe arsimit të ulet në 15 për qind, në përputhje me standardet europiane.