Në prag të vizitës në Athinë, ministri i Jashtëm shqiptar, Igli Hasani, sinjalizon gatishmërinë për dialog të hapur me Greqinë mbi çështjet e pazgjidhura mes dy vendeve, përfshirë kufijtë detarë, duke theksuar rëndësinë e fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit rajonal.

Ministri i Jashtëm, Igli Hasani, në prag të vizitës zyrtare në Athinë, ka theksuar për gazetën greke “Ta Nea” se Shqipëria është e hapur për dialog mbi të gjitha çështjet dypalëshe të pazgjidhura, përfshirë edhe atë të kufirit detar. Hasani konfirmoi se Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit me Greqinë, si një partner strategjik, duke vlerësuar mbështetjen e saj për rrugën drejt BE-së.
Ai shprehu besimin se përmes dialogut dhe respektit të ndërsjellë, mund të arrihen zgjidhje të qëndrueshme për interesin e përbashkët. Lidhur me integrimin në BE, Hasani tha se vendi synon mbylljen e kapitujve të negociatave deri në vitin 2027 dhe anëtarësimin deri në 2030.
Në intervistë, ministri komentoi edhe mbështetjen e lartë për PS-në nga diaspora shqiptare në Greqi, duke e cilësuar si shenjë të besimit në reformat dhe drejtimin e kryeministrit Rama.