
Tiranë – Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar datën 30 qershor për nisjen e gjykimit në themel në çështjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”, ku ndër të pandehurit është edhe ish-kryeministri Sali Berisha.
Seanca do të zhvillohet në orën 10:00, ndërsa kjo shënon rastin e parë që nga krijimi i Gjykatës së Posaçme në vitin 2019 që një ish-kryeministër përballet me drejtësinë si i akuzuar.
Përveç Berishës, të pandehur në këtë çështje janë edhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, biznesmeni Fatmir Bektashi, si dhe Andia Pustina dhe Xhimi Begeja.
Berisha akuzohet për korrupsion pasiv, ndërsa Malltezi dhe Bektashi për korrupsion dhe pastrim parash. Begeja dhe Pustina përballen me akuza për pastrim parash.
Sipas SPAK, Berisha ka favorizuar dhëndrin e tij në procesin e privatizimit gjatë kohës që mbante funksionin e kryeministrit.