
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në fshatin Tale të Lezhës, ku një 57-vjeçar është gjetur i vrarë me armë zjarri pranë banesës së tij.
Sipas burimeve zyrtare, viktima, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur për arsye hetimore, është gjetur pa shenja jete brenda automjetit të tij, në momentin që po e parkonte në oborrin e shtëpisë.
Policia e Lezhës e mbështetur nga Forca Kombëtare e Sigurisë, njësia Shkodër, kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje. Është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorit ose autorëve të mundshëm.
Deri më tani, motivet e krimit mbeten të paqarta, ndërsa hetimet po vazhdojnë në disa pista.
Policia u bën thirrje qytetarëve që mund të kenë informacion të dobishëm për ngjarjen, të kontaktojnë strukturat përkatëse për të ndihmuar në zbardhjen e saj.