
Tiranë – Edvin Kulluri, një nga themeluesit e formacionit “Djathtas 1912”, ka kritikuar ashpër fragmentimin e opozitës dhe mungesën e bashkëpunimit mes partive të reja në zgjedhjet e 11 majit, duke e cilësuar këtë si një nga shkaqet kryesore të fitores së Partisë Socialiste.
Në një intervistë për Report Tv, Kulluri tha se mosbashkimi i forcave të reja politike dhe partive të djathta i dha avantazh PS-së, ndërsa partitë e vogla morën vota por nuk u shndërruan në mandate.
Ai shtoi se ka pasur raste të orientimit të votës brenda partive dhe kërkoi ndjekje penale për komisionerët dhe numëruesit që kanë manipuluar votat.
Duke komentuar gjendjen politike dhe morale në vend, Kulluri u shpreh se shoqëria shqiptare ndodhet në një krizë të thellë dhe se shumica e qytetarëve votojnë për shkak të varësisë ekonomike nga paga mujore.
Ai kritikoi gjithashtu figurat politike brenda Partisë Demokratike, duke vënë në dukje retorikën që sipas tij bazohet vetëm në figurën e Sali Berishës.
Në përfundim, Kulluri deklaroi se Sali Berisha ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në fitoren e Edi Ramës, së bashku me partitë e reja që, sipas tij, nuk arritën të bashkohen për një qëllim të përbashkët opozitar.