
Duke filluar nga 1 korriku, në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut do të hyjë në fuqi ndalimi i plotë i lëvizjes në pyje dhe toka pyjore, masë që do të zgjasë deri më 31 gusht 2025. Lajmin e bëri të ditur Ministria e Punëve të Brendshme, në koordinim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave.
Ky vendim është marrë në përputhje me Ligjin për Pyjet, konkretisht në bazë të nenit 57, paragrafi 3, për të parandaluar rrezikun në rritje të zjarreve në hapësirat e hapura gjatë sezonit të verës.
Ndalimi i lëvizjes vlen për të gjitha pyjet dhe zonat pyjore publike, dhe përfshin edhe zonat që menaxhohen nga “Pyjet Kombëtare” dhe “Parqet Kombëtare”. Lëvizja në këto zona do të jetë e lejuar vetëm nëse personi disponon miratim me shkrim të lëshuar nga autoritetet përkatëse të zonës që menaxhojnë.
Për çdo shkelje të këtij ndalimi, qytetarët do të përballen me gjoba që variojnë nga 1.500 deri në 2.000 euro, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.
Ky vendim është pjesë e një plani më të gjerë për të mbrojtur mjedisin dhe për të parandaluar zjarret pyjore që kanë qenë problem serioz në sezonet e kaluara në rajon.