
Los Anxheles – Më shumë se 100 persona janë arrestuar në protestat kundër masave të reja të administratës së presidentit Donald Trump për imigracionin, bëri të ditur policia e qytetit.
Sipas Departamentit të Policisë së Los Anxhelesit, 96 persona u arrestuan të hënën në mbrëmje për pjesëmarrje në një tubim të ndaluar në qendër të qytetit. Ndërkohë, 14 të tjerë u arrestuan për plaçkitje dhe tre për rezistencë ndaj arrestimit, sulm me armë të rrezikshme ose dëmtim të pronës.
Dy oficerë policie u dërguan në spital për trajtim.
Presidenti Trump tha se situata në qytet është jashtë kontrollit dhe ka dërguar mijëra trupa të Gardës Kombëtare si dhe rreth 700 marinsa për të mbështetur zbatimin e rendit.
Në përgjigje të protestave, kryebashkiakja Karen Bas shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe vendosi shtetrrethim në qendër të qytetit nga ora 20:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit të së mërkurës.
Ajo u bëri thirrje qytetarëve të respektojnë masat dhe paralajmëroi se shkelësit do të përballen me ndjekje penale.