
Tiranë – Dërgesat që familjet në Shqipëri marrin nga të afërmit në emigracion kanë shënuar një ngadalësim të ndjeshëm në fillim të këtij viti, duke sugjeruar se vala e fundit e emigracionit mund të ketë arritur pikun.
Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, gjatë tremujorit të parë të vitit 2025, remitancat arritën në 251 milionë euro, një rritje prej vetëm 3.7 për qind krahasuar me një vit më parë. Ky është ritmi më i ulët i rritjes që nga viti 2020, pas disa viteve me rritje të qëndrueshme dyshifrore.
Ekspertët mendojnë se ky ngadalësim lidhet me konsolidimin e emigracionit të ri: shumë nga ata që janë larguar në dekadën e fundit kanë filluar të stabilizohen në vendet pritëse dhe të shkëpusin gradualisht lidhjet financiare me vendin e origjinës.
Të dhënat e Eurostat tregojnë se gjatë viteve 2022 dhe 2023, afro 154 mijë shtetas shqiptarë morën leje qëndrimi për herë të parë në vendet e Bashkimit Europian. Pjesa më e madhe e këtyre emigrantëve janë të punësuar me kontrata zyrtare, kryesisht në Gjermani dhe Angli – një ndryshim nga valët e mëparshme ku emigracioni shpesh ishte informal.
Specialistët vërejnë se pas 10 deri në 15 vite qëndrimi jashtë, angazhimi financiar me vendin e origjinës zbehet ndjeshëm. Ky ishte rasti me emigrantët e viteve ’90, ku remitancat nisën të bien pas vitit 2008.
Ndërkohë, Greqia dhe Italia vijojnë të mbeten destinacionet kryesore, por strukturat e reja të emigracionit po krijojnë një profil të ndryshëm të marrëdhënieve ekonomike me diasporën shqiptare.