Tensionet mes Rusisë dhe Serbisë janë rritur pas akuzave të Moskës se Beogradi po furnizon Ukrainën me armë, një veprim që sipas Kremlinit rrezikon marrëdhëniet tradicionale mes dy vendeve.

Rusia ka paralajmëruar publikisht Serbinë për pasojat e mundshme nëse dërgon armatime drejt Ukrainës. Në një deklaratë zyrtare, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, theksoi se Moska po ndjek me vëmendje zhvillimet dhe se pret veprime konkrete nga autoritetet serbe për të garantuar që furnizimet ushtarake të mos devijojnë drejt Kievit.
Sipas saj, Moska i ka marrë parasysh garancitë e dhëna nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç për auditimin e bashkëpunimit ushtarako-teknik dhe për verifikimin e përdorimit final të armatimeve.
Zakharova u shpreh se Rusia pret që Serbia të ndërpresë çdo kontratë të dyshimtë eksporti dhe të marrë masa për të mos lejuar që pajisje ushtarake të përfundojnë në duart e Ukrainës. Ajo theksoi se një veprim i tillë do të rrezikonte seriozisht raportet miqësore mes dy vendeve.
Më herët, edhe Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Rusisë publikoi një deklaratë të ashpër, ku e akuzoi Serbinë për “thikë pas shpine”, duke kujtuar mbështetjen e gjatë historike të Rusisë për popullin serb, përfshirë ndërhyrjen në periudha kritike si bombardimet e NATO-s apo konflikti në Kosovë.
Presidenti Vuçiç i ka mohuar akuzat, duke kërkuar një hetim të brendshëm, por ka shtuar se kompanitë serbe duhet të vazhdojnë aktivitetin e tyre ekonomik.