Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, deklaroi se në samitin e ministrave të Mbrojtjes të NATO-s është theksuar nevoja për vigjilencë të shtuar në Kosovë, si pjesë e përgjigjes ndaj kërcënimeve në Evropën Jug-Lindore.

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, konfirmoi se Kosova ka qenë në qendër të diskutimeve gjatë samitit të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s, që u mbajt në Bruksel. Sipas tij, Aleanca ka nënvizuar domosdoshmërinë për të rritur nivelin e vigjilencës në rajon, për shkak të kërcënimeve të shtuara në Evropën Jug-Lindore.
Vengu theksoi se diskutimet kanë shtruar rrugën për një konsensus të gjerë rreth rritjes së shpenzimeve për mbrojtjen dhe sigurinë, me fokus te rritja e prodhimit vendas, përmirësimi i gatishmërisë operacionale dhe investimet në infrastrukturën kritike.
Ai shtoi se u kërkua gjithashtu një koordinim më i shpejtë dhe më i ngushtë mes vendeve anëtare për të forcuar kapacitetet mbrojtëse, veçanërisht përballë kërcënimeve që vijnë nga Lindja dhe rreziqeve hibride që po shtohen në kufijtë e NATO-s.