
Tiranë – Është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare regjisori dhe skenaristi i njohur shqiptar, Leka Bungo. Lajmin e bëri të ditur e bija përmes një njoftimi në rrjetet sociale.
Bungo ishte një nga emrat më të rëndësishëm të skenës dhe ekranit shqiptar, me një karrierë të gjatë në teatër, film dhe televizion.
Ai lindi në Vlorë më 28 shkurt 1944 dhe u diplomua për regji në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Gjatë viteve të para të karrierës drejtoi teatro në Vlorë dhe Fier, ndërsa në vitet ’80 u rikthye në Tiranë si regjisor në Estradën e Shtetit, ku realizoi shfaqje me tematikë sociale dhe elemente satire.
Në kinema u shfaq për herë të parë në filmin “Oshëtime në bregdet” dhe më pas realizoi filma si “Një djalë dhe një vajzë”. Ai është autor i skenarëve për disa filma dhe telekomedi, përfshirë “Tre njerëz me gunë” dhe “Pas fasadës”.
Në vitet e fundit, Leka Bungo ishte kryetar i Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar dhe u nderua me titullin “Qytetar Nderi i Fierit”.