
Nga Zenel Çeliku

“Gojët e liga” thonë se brenda Partisë Socialiste (PS) ka nisur një “gjueti shtrigash”. Është e ditur se lufta brenda llojit është gjithmonë e dëmshme për një forcë politike, veçanërisht kur ndodh pas një fitoreje zgjedhore.
Megjithëse PS doli fituese në zgjedhjet e 11 majit me një shumicë të madhe, rezultatet tregojnë një rënie të entuziazmit elektoral, sidomos në qarqe urbane si Tirana, Durrësi dhe Shkodra. Po a është kjo një shenjë lodhjeje me modelin aktual të qeverisjes dhe nevojës për një riformatim të brendshëm, si ideologjik ashtu edhe njerëzor?
Sot PS është një forcë e dominuar fort nga një rreth i ngushtë pushteti – Edi Rama, Belinda Balluku, Elisa Spiropali – ku vendimmarrja është e përqendruar dhe larg nga baza. Kjo strukturë funksionon kur fiton, por bëhet shumë e brishtë në kohë krize apo përballë një opozite më agresive.
Pas kësaj fitoreje, PS duhet t’i nënshtrohet një reflektimi të thellë të brendshëm. Figura kritike si Ben Blushi dhe Ditmir Bushati janë margjinalizuar, çka ka sjellë një uniformitet të rrezikshëm ideologjik dhe politik. Diskursi i PS është reduktuar në mbrojtjen e figurave të larta dhe sulme ndaj opozitës, pa një qasje të thellë zhvillimore.
Duhet vlerësuar përpjekja për të krijuar një brez të ri politik. Pas 20 vitesh, në politikën shqiptare – konkretisht në PS – ka një gjeneratë të re që ka hyrë në pozita kyçe. Megjithatë, opozita akuzon se këto figura nuk janë rezultat i konkurrencës meritokratike, por të emëruar nga kupola. Pavarësisht këtyre kritikave, nuk ka arsye të vihet në dyshim potenciali i këtij brezi për të ndërtuar një lidership afatgjatë.
Sfidat që PS ka përpara janë të mëdha. Përballë një opozite të fragmentuar, rreziku më i madh është vetëkënaqësia dhe mungesa e vetëkritikës. Mungesa e një kundërshtari serioz mund të ulë vigjilencën politike dhe të gjenerojë sjellje arrogante brenda partisë.
Çfarë e pret PS-në në të ardhmen? Nëse dëshiron të ruajë pozitën dominuese, PS duhet të hapë garën e brendshme, të inkurajojë zëra kritikë dhe të rifreskojë platformat ideologjike, duke u fokusuar në sfida moderne si ndryshimet klimatike, teknologjia dhe emigracioni. Më shumë se kurrë, partia duhet të rikthejë lidhjen me bazën – jo vetëm gjatë fushatave zgjedhore, por në mënyrë të vazhdueshme.
Fitorja e 11 majit ka një kosto të lartë politike, përballë popullit dhe faktorit ndërkombëtar. Premtimet për përmbylljen me sukses të negociatave deri më 2027 dhe anëtarësimin e Shqipërisë në BE janë sfida madhore. Prandaj, po – PS fitoi, por me kosto politike.