
Tensionet mes Iranit dhe Izraelit u përshkallëzuan të hënën pasi një valë raketash iraniane goditi qytetet izraelite, duke vrarë pesë persona dhe plagosur të paktën 74 të tjerë.
Sulmet goditën Tel Avivin, Haifën dhe një rafineri nafte në veri të Izraelit, ndërsa një pjesë e rrjetit energjitik u dëmtua. Autoritetet izraelite thanë se ndër objektivat ishte dhe shefi i inteligjencës ushtarake iraniane, i vrarë nga një sulm ajror gjatë fundjavës.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, paralajmëroi se janë “banorët e Teheranit ata që do ta paguajnë çmimin”, duke e quajtur udhëheqësin suprem iranian Ali Khamenei “vrasës frikacak”.
Ministria e Shëndetësisë e Iranit tha se të paktën 224 vetë janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite që nga e premtja, shumica civilë.
Presidenti amerikan Donald Trump, në një deklaratë në rrjetin social Truth Social, u shpreh për arritjen e mundshme të një marrëveshjeje mes palëve, por shtoi se “nganjëherë vendet duhet të luftojnë”.
Liderët e G7 janë mbledhur në Kanada, me konfliktin mes Iranit dhe Izraelit në qendër të diskutimeve.