
Kryeministri Edi Rama reagoi pas njoftimit se SHBA kishte goditur tre objekte bërthamore në Iran, duke theksuar mbështetjen e Shqipërisë për përpjekjet amerikane për të parandaluar armatosjen bërthamore të Teheranit.
Në një reagim publik, Rama deklaroi se Irani nuk është thjesht një shtet tjetër me ambicie bërthamore, por një teokraci që përdor retorikë apokaliptike dhe që ka bërë thirrje të hapura për zhdukjen e kombeve të lira. Ai e cilësoi regjimin iranian si një devijim të rrezikshëm në raport me çdo shtet tjetër të armatosur me armë bërthamore.
Duke e pozicionuar Shqipërinë si një anëtare krenare e botës së lirë dhe aleate e ngushtë e Shteteve të Bashkuara, Rama u shpreh se vendi e mbështet pa mëdyshje ndërhyrjen amerikane për të penguar që Irani të bëhet një fuqi bërthamore.
Sipas kryeministrit, qëndrimi i Shqipërisë rrjedh edhe nga historia e saj si një vend që ka dalë nga një regjim shtypës, duke e bërë detyrë morale dhe strategjike angazhimin për ruajtjen e paqes dhe vlerave demokratike.