
Bruksel – Komiteti për Punët e Jashtme në Parlamentin Evropian (AFET) ka miratuar raportin vjetor për Shqipërinë, ku ngre shqetësime për ndikimin e huaj keqdashës në vend, veçanërisht nga Rusia dhe Kina.
Raporti thekson se këto ndërhyrje, të cilësuara si “kërcënime hibride”, synojnë të dëmtojnë institucionet demokratike shqiptare dhe të minojnë rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Eurodeputetët vënë në dukje se narrativat pro-Kremlinit përpiqen të zbehin besimin e qytetarëve në institucionet dhe të nxisin qëndrime anti-perëndimore.
AFET i bën thirrje Shqipërisë të forcojë mbrojtjen institucionale ndaj financimeve të fshehta politike, manipulimit të informacionit dhe kërcënimeve kibernetike, ndërsa apelon që institucionet evropiane të monitorojnë më nga afër ekspozimin e vendit ndaj ndikimit të huaj.
Raporti përshëndet bllokimin e disa domeneve të dezinformimit rus nga autoritetet shqiptare, por kërkon ngritjen e një mekanizmi të përbashkët BE–Shqipëri për të përballuar fushatat dezinformuese.
Po ashtu, dokumenti vë në dukje rritjen e pranisë së mediave të mbështetura nga shteti kinez në Shqipëri dhe rekomandon forcimin e bashkëpunimit rajonal për t’u përballur me këto sfida të përbashkëta.