Për herë të parë që prej vitit 2022, delegacionet e Rusisë dhe Ukrainës do të ulen sërish në bisedime të drejtpërdrejta në Stamboll. Edhe pse raundi i parë solli një shkëmbim të madh të të burgosurve, kjo e hënë pritet të jetë një përballje e vështirë pa garanci për armëpushim – ndërsa luftimet në terren vijojnë me intensitet.

Delegacionet e Rusisë dhe Ukrainës do të zhvillojnë sot në Stamboll raundin e dytë të bisedimeve të drejtpërdrejta për paqe, për herë të parë që prej vitit 2022. Takimi mbahet në Pallatin Ciragan në orën 13:00 sipas kohës lokale, ndërsa palët mbërritën një ditë më parë në qytetin turk.
Delegacioni ukrainas drejtohet nga ministri i Mbrojtjes, Rustem Umerov, ndërsa nga ana ruse, kreu i ekipit negociator është Vladimir Medinsky. Raundi i parë i bisedimeve më 16 maj prodhoi vetëm një shkëmbim të madh të të burgosurve, pa sinjale për një armëpushim.
Ndërkohë që diplomatët përgatiten për tryezën e bisedimeve, situata në front mbetet e tensionuar. Ukraina njoftoi një valë sulmesh ndaj bazave ushtarake ruse në Siberi, ndërsa Rusia ka nisur qindra dronë në drejtim të Ukrainës.
Presidenti Putin ka propozuar hartimin e një memorandumi që do të shërbejë si bazë për një marrëveshje të mundshme paqeje. Ukraina, nga ana tjetër, thotë se ende nuk ka marrë një draft nga Moska, ndërkohë që palët pritet të paraqesin dokumentet përkatëse në këtë takim.
Pavarësisht përpjekjeve diplomatike, distanca mes dy vendeve për zgjidhjen e konfliktit mbetet e thellë. Raundi i sotëm shihet më tepër si një përpjekje për të mbajtur të hapur kanalin e komunikimit, sesa si një hap konkret drejt paqes.