
Shpërthime u dëgjuan të hënën në mbrëmje mbi kryeqytetin e Katarit, Doha, pas raportimeve se Irani kishte lëshuar raketa drejt bazës ajrore amerikane Al Udeid, një nga objektet më të rëndësishme ushtarake të SHBA-së në Lindjen e Mesme.
Agjencitë Reuters dhe AFP raportuan se incidenti ndodhi në vijim të paralajmërimeve nga inteligjenca perëndimore, sipas së cilës Teherani synonte objektiva ushtarake amerikane në rajon si kundërpërgjigje për një sulm të mëparshëm ndaj objekteve bërthamore në Iran.
Al Udeid shërben si seli për Komandën Qendrore të SHBA-së dhe në të ka rreth 10,000 trupa amerikane. Një diplomat perëndimor i tha Reuters se Irani e ka identifikuar këtë bazë si objektiv strategjik.
Mediat amerikane raportuan se Pentagoni kishte nisur të tërhiqte disa avionë nga Al Udeid për shkak të rrezikut të një sulmi të mundshëm. Pas shpërthimeve, Katari mbylli hapësirën ajrore, ndërsa ambasadat amerikane dhe britanike paralajmëruan qytetarët të qëndrojnë brenda.
Nuk ka ende të dhëna për viktima apo dëme materiale. Situata në rajon mbetet e tensionuar.