
Shtetet e Bashkuara kryen mbrëmë një sulm ajror ndaj Iranit, duke goditur tre objektiva kyçe të infrastrukturës bërthamore: Fordow, Natanz dhe Isfahan. Presidenti Donald Trump njoftoi personalisht ndërhyrjen përmes një postimi ku theksoi se të gjitha avionët amerikanë janë kthyer të sigurt dhe se objektivat u goditën me sukses të plotë.
Trump e cilësoi këtë si një “sukses spektakolar ushtarak”, duke shtuar se tani është koha për paqe, por la të hapur mundësinë e sulmeve të tjera nëse Irani nuk bashkëpunon.
Me këtë sulm, Uashingtoni ka hapur një kapitull të ri në përplasjen me Teheranin, duke e pozicionuar veten drejtpërdrejt në një konflikt ushtarak. Reagimi i Iranit pritet të jetë i ashpër, ndërkohë që tensionet në rajon kanë arritur një nivel kritik, me rrezik të lartë për përshkallëzim të mëtejshëm.