
Ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe (E3) pritet të takohen sot në Gjenevë me homologun iranian Abbas Araghchi, në përpjekje për të gjetur një rrugë diplomatike për ndalimin e përshkallëzimit ushtarak midis Iranit dhe Izraelit.
Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, ndryshoi itinerarin e tij fillestar në Liban, Siri dhe Izrael, dhe udhëtoi në Arabinë Saudite, Katar dhe Oman – vend ky me lidhje të forta me Teheranin – për konsultime të shpejta rajonale.
Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë zhvilluar bisedime të fshehta për dy muaj nëpërmjet ndërmjetësimit të Omanit, para se Izraeli të fillonte sulmet ajrore ndaj objektivave strategjike iraniane të premten. Irani është përgjigjur me sulme intensive raketore ndaj Izraelit, ndërsa diplomacia evropiane kërkon të frenojë përshkallëzimin.