Një operacion ndërkombëtar kundër trafikut të drogave sintetike ka çuar në shpërbërjen e disa grupeve kriminale shqiptare që vepronin në Finlandë. Në Shqipëri janë dhënë 11 urdhër arreste, ndërsa në total janë proceduar 54 persona.

Një operacion i përbashkët mes SPAK dhe autoriteteve finlandeze ka çuar në goditjen e disa grupeve kriminale të përfshira në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Lajmi u bë i ditur gjatë një konference për shtyp të zhvilluar sot në Tiranë nga Prokuroria e Posaçme dhe përfaqësues të drejtësisë finlandeze.
Sipas kreut të SPAK, Altin Dumani, hetimet kanë zbuluar se grupet ishin të strukturuara dhe vepronin në Finlandë, ndërsa drejtuesit e tyre qëndronin në Shqipëri, nga ku koordinonin aktivitetin e paligjshëm.
“Janë lëshuar 11 urdhër arrest, prej të cilave 10 në territorin shqiptar. Në total janë proceduar 54 persona, shumë prej tyre të dënuar më parë nga drejtësia finlandeze,” tha Dumani.
Risi e këtij operacioni është zbulimi i një rrjeti që merrej me shpërndarjen e drogave sintetike, përfshirë këtu dhe ekstazinë. Sipas Dumanit, grupet kishin krijuar baza të përhershme në Finlandë dhe dërgonin herë pas here përfaqësues nga Shqipëria për të shpërndarë substancat narkotike.
SPAK dhe autoritetet finlandeze kanë sekuestruar sasi të konsiderueshme droge, ndërsa operacioni vlerësohet si një nga ndërhyrjet më domethënëse kundër narkotrafikut me përfshirje shqiptare në Europën Veriore.