
Shqipëria është ndalur në një barazim 1-1 në transfertën kundër Letonisë, në një përballje të Grupit K të Kualifikueseve për Kupën e Botës 2026, duke komplikuar pozitat në renditje dhe objektivin për një vend kualifikues.
Ndeshja nisi me intensitet nga të dyja skuadrat, me tentativa të vazhdueshme për të gjetur rrjetën. Rasti më i mirë i pjesës së parë i takoi vendasve në minutën e 21-të, kur Letonia fitoi një penallti, por goditja e Ikaunieks u neutralizua nga portieri Thomas Strakosha, i cili mbajti të paprekur portën kuqezi.
Tetë minuta më vonë, Shqipëria kaloi në epërsi pas një aksioni të rrëmujshëm në zonën letoneze, ku mbrojtësi Cernomordijs devijoi topin në rrjetën e vet, duke i dhuruar avantazhin kuqezinjve me autogol.
Megjithatë, pikërisht në fundin e pjesës së parë, në minutat shtesë, ishte sërish Cernomordijs që rikuperoi gabimin e mëparshëm duke shënuar golin e barazimit për Letoninë, pas një pakujdesie të mbrojtjes shqiptare.
Pjesa e dytë u karakterizua nga një ritëm më i ulët dhe pak raste të rrezikshme, me vendasit që u fokusuan në mbrojtjen e rezultatit dhe arritën të marrin një pikë të vlefshme.
Pas këtij barazimi, Shqipëria qëndron në vendin e dytë me 5 pikë, një më shumë se Serbia dhe Letonia, por me dy ndeshje më shumë se serbët. Ndeshja e radhës për kuqezinjtë do të jetë më 9 shtator, kur do të përballen sërish me Letoninë, këtë herë në Tiranë.