
Nga Zenel Çeliku
Që Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, ka ende shumë detyra për të realizuar. Ndër to përfshihen: stabiliteti politik dhe shoqëror, zhvillimi ekonomik, politika e brendshme dhe rajonale, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformat e vazhdueshme dhe ndikimet gjeopolitike.
Është fakt i njohur që Shqipëria ka nisur negociatat për anëtarësim dhe ndodhet në fazën e shqyrtimit të kapitujve të legjislacionit të BE-së. Liderët evropianë kanë deklaruar se Shqipëria po përparon mirë dhe, nëse reformat në drejtësi dhe administratën publike vazhdojnë me ritëm të qëndrueshëm, anëtarësimi mund të ndodhë deri në vitin 2030. Megjithatë, progresi do të varet edhe nga vullneti politik i vendeve anëtare dhe dinamika e brendshme e vetë Unionit.
Një element kyç për Shqipërinë është zhvillimi ekonomik dhe social. Rritja ekonomike mesatare prej 3–4% në vit, investimet në turizëm, energji të rinovueshme dhe infrastrukturë janë tregues pozitivë. Ekspertët e ekonomisë mendojnë se me politika të mençura fiskale dhe përmirësim të klimës së biznesit, Shqipëria mund të bëhet një qendër e rëndësishme për investime të huaja në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, pabarazitë rajonale dhe papunësia, veçanërisht tek të rinjtë, mbeten sfida që kërkojnë politika të qëndrueshme.
Pas zgjedhjeve të 11 majit 2025, ku Partia Socialiste (PS) fitoi 83 mandate, Shqipëria përballet me sfida serioze në politikën e brendshme. Qeverisja duhet të tregojë maturi dhe pjekuri në raport me pakicën parlamentare. Besimi i ulët i publikut tek institucionet mbetet një problem madhor dhe kjo maxhorancë duhet të punojë me tolerancë zero ndaj abuzimeve. Polarizimi politik dhe mungesa e konsensusit për reformat madhore kërkojnë bashkëpunim të sinqertë me opozitën. PS, me këtë shumicë historike, duhet të kërkojë dialog dhe të ndërtojë ura komunikimi për një qeverisje më gjithëpërfshirëse.
Nëse opozita (PD) zgjedh të krijojë kriza të panevojshme politike, përgjigjja i takon publikut, i cili e dha verdiktin më 11 maj. Zgjedhjet sollën edhe disa forca të reja politike, por pa peshë të dukshme. Mendoj se në të ardhmen do të shfaqet një gjeneratë e re politike, më e aftë dhe e orientuar drejt standardeve evropiane, duke sjellë më shumë stabilitet institucional. Zgjedhjet e lira e të ndershme, shteti ligjor dhe një media e pavarur janë kushte kyçe për integrimin.
Shqipëria ka qenë dhe mbetet një faktor i rëndësishëm rajonal në Ballkanin Perëndimor. Është aktive në nisma si Procesi i Berlinit dhe Open Balkan, edhe pse kjo e fundit është kundërshtuar nga opozita. Shqipëria mbështet fort iniciativat e BE-së, SHBA-së dhe NATO-s, dhe me pozicionin strategjik që ka, mund të luajë një rol stabilizues më të fuqishëm në rajon. Konfliktet si ai mes Kosovës dhe Serbisë kërkojnë diplomaci aktive dhe bashkëpunim ndërfqinjësor.
Duke analizuar faktorët politikë, ekonomikë, socialë dhe gjeopolitikë, rezulton se PS, me këtë maxhorancë, i ka të gjitha mundësitë për të trokitur me dinjitet në derën e BE-së më 2030. Në një skenar optimist dhe të qëndrueshëm, kapitujt e negociatave janë detyra pa kompromis për anëtarësim. Shqipëria i ka përmbushur pjesën më të madhe të këtyre detyrimeve, dhe tashmë topi është në fushën e BE-së, e cila e njeh rolin kyç të vendit në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
Ekonomia është më e hapur dhe konkurruese, demokracia më funksionale, por duhet ende shumë punë për të forcuar besimin qytetar tek institucionet. Duam apo jo ta pranojmë, jemi të vetëdijshëm se Shqipëria ka një rol të rëndësishëm si vend i stabilizuar euroatlantik, gjë që na jep shpresë dhe besim se në vitin 2030 ajo mund të jetë anëtare e barabartë në Bashkimin Evropian.